Në çdo kohë, mënyra si njeziu e kupton veten është e lidhur ngushtë me mënyrën se si ai punon. Sot, karriera është bërë më shumë sesa një mjet jetese ajo është bërë pasqyrë e identitetit, një terren ku vlerat, pritshmëritë dhe ndjenjat e vetëvlerësimit reflektohen.
Për individin bashkëkohor, pyetja “Çfarë pune bëj?” merret shpesh si pyetje e ngjashme me “Kush jam unë?”. Në këtë artikull tentojmë të eksplorojmë veten në kontekstin e kulturës së punës në shekullin e 21.
Karriera si pasqyrë e identitetit
“Identiteti nuk lind me ne, por është një proces që ndërtohet e zhvillohet gjatë gjithë jetës” (Super; Erikson).
Super (1957) e përkufizon karrierën si “zbatimin e konceptit të vetvetes në një rol profesional”, ndërsa Erikson thekson se të rinjtë, përmes eksplorimit të roleve të ndryshme, përpiqen të krijojnë një ndjenjë koherence midis asaj që ndjejnë se janë dhe asaj që shoqëria pret prej tyre.
Në këtë kuptim, karriera shërben si një mjet për të shprehur dhe materializuar vetveten. Një mënyrë për të përkthyer vlerat, bindjet dhe identitetin tonë të brendshëm në realitetin e punës së përditshme.
Kur identiteti dhe karriera ndahen: konteksti Shqiptar
Por çfarë ndodh kur ky përkthim nuk është fort i qartë? Shoqëria shqiptare, si shumë shoqëri të tjera post-tranzicioni, jeton ende mes dy sistemeve të vlerave: njërit tradicional, ku siguria dhe stabiliteti konsiderohen themele të suksesit, dhe tjetrit modern, që nxit individualizmin, zhvillimin personal dhe vetë-aktualizimin, sipas qasjes humaniste.
Në këtë përplasje, të rinjtë shpesh ndihen të detyruar të ndjekin rrugë të “pranuara” shoqërisht, si mjekësia, inxhinieria apo ekonomiku. Problemi qëndron se këto degë shpesh herë mund të mos jenë pasqyrim i pasioneve të tyre të vërteta. Si pasojë, shumë profesionistë shqiptarë përfundojnë në role ku vlerat personale nuk reflektohen dhe pikërisht këtu ndodh ndarja midis “punës që bëj” dhe “njeriut që jam”.
Karierra proteane dhe epoka e pasigurisë
Në kulturën e punës bashkëkohore, vërehet një zhvendosje e madhe nga siguria drejt fleksibilitetit. Koncepti i “karrierës lineare” (ku individi punon për dekada në të njëjtin institucion) është zëvendësuar nga ajo që sociologët e quajnë “karrierë proteane” (Hall, 2002), ku individi është arkitekti i vetë-rrugës së tij profesionale.
Kjo karrierë nuk përcaktohet nga hierarkitë apo struktura organizative, por nga autonomia dhe përshtatshmëria. Megjithatë, ky ndryshim ka edhe anën e tij të errët: pasigurinë.
Le të marrim shembullin e termit më të përfolur sot në tregun e punës: “freelancer”, ose më qartë, një “shef i vetes”. Ky profesionist i pavarur ofron shërbime për kompani apo individë të ndryshëm (zakonisht online) dhe paguhet për projektin, orën apo detyrën e kryer, jo me një rrogë të përmuajshme.
Është një model pune që tërheq për fleksibilitetin dhe autonominë që ofron, por që funksionon vetëm nëse individi arrin të sigurojë një sasi të qëndrueshme projektesh e detyrash që mbulojnë minimalisht kostot mujore të jetesës, për të arritur atë që shpesh quhet “pavarësi financiare”.
Në pamje të parë, freelanceri duket si simboli i njeriut modern që ka gjetur lirinë në punë por në realitet, kjo formë vetëpunësimi është edhe pasqyra më e qartë e ndryshimeve të thella që ka pësuar tregu global i punës.
Në shekullin e fundit, ky treg ka kaluar nga stabiliteti i punës tradicionale te një epokë e pasigurisë së vazhdueshme: globalizimi, pandemia dhe digjitalizimi kanë transformuar mënyrën si punojmë dhe si e konceptojmë identitetin profesional. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO, 2023), pasiguria e kontratave, puna pa mbrojtje sociale dhe konkurrenca globale kanë krijuar një ndjenjë të përhapur pasigurie, duke e kthyer punën nga një burim stabiliteti e kuptimi në një garë për mbijetesë profesionale.
Në këtë peizazh të ri, freelanceri nuk është thjesht një profesionist i lirë ai është shenja më e dukshme e një epoke ku puna dhe identiteti janë bërë më të lëvizshëm, më fleksibël, por edhe më të brishtë se kurrë më parë.
Vlerat personale si busull identiteti
Pra, po flasim për një realitet ku koncepti i vlerave personale domosdoshmërisht do të fitonte rëndësi qendrore. Vlerat janë busulla jonë e brendshme mënyra se si përcaktojmë çfarë është e rëndësishme për ne.
Rokeach (1973) i ndan vlerat në dy kategori: terminale (që lidhen me qëllimet përfundimtare si lumturia, paqja, arritja) dhe instrumentale (që lidhen me mënyrën si i arrijmë ato, si ndershmëria, kreativiteti, bashkëpunimi). Nëse karriera jonë është në harmoni me këto vlera, ne përjetojmë koherencë identitare; nëse jo, lind një boshllëk i brendshëm që shpesh manifestohet si stres, mungesë motivimi apo edhe deri në burnout (këtë të fundit do e shtjellojmë në artikujt në vijim).
Aftësitë e transferueshme: Identiteti që lëviz
Po tani? Çfarë zgjidhjeje do të propozoja për një të ri që është i paqartë për rrugëtimin identitar të karrierës së tij?
Aftësitë e transferueshme janë një nga konceptet më të rëndësishme të karrierës bashkëkohore. Ato janë aftësi që nuk lidhen me një profesion të vetëm, por që mund të aplikohen në shumë kontekste: komunikimi, mendimi kritik, empatia, menaxhimi i kohës, kreativiteti.
Tregu i pune ndryshon gjithe kohes, ndaj këto aftësi përfaqësojnë “identitetin lëvizës” të individit, ose më saktë, pjesën e vetes që mund të përshtatet dhe të mbijetojë përtej titujve të punës. Në vitin 2018, në një intervistë pune jashtë fushës sime të specializimit, arrita të përfitoj pozicionin e punës vetëm prej këtyre aftësive që ishin shumë lehtë të transferueshme në pozitën e kërkuar. Konkretisht, nga psikologjia në marketing.
Pra, aftësia për të transferuar vlera dhe kompetenca nga një kontekst në tjetrin është thelbësore për ruajtjen e identitetit në një botë pune kaq fluide. Një individ që kupton se është “krijues, empatik dhe bashkëpunues” mund t’i shprehë këto cilësi si mësues apo drejtues i ekipit, pa humbur vetveten.
Kështu, identiteti profesional nuk është më një maskë që vishet për të përshtatur një rol, por një strukturë e gjallë që përshtatet me përvojat dhe vlerat që ndryshojnë me kohën.
Ku qëndron vetja?
Thelbi është përsëri pyetja “ku qëndron vetja?” por nuk ekziston një përgjigje e vetme. Vetja qëndron aty ku vlerat personale përputhen me veprimin, aty ku puna bëhet një shprehje e identitetit dhe jo një zëvendësim i tij.
Ritmet me të cilat po ndryshojmë si shoqëri janë marramendëse dhe ndoshta sfida më e madhe nuk është të gjejmë punën e duhur, por të mos humbasim vetveten në procesin e kërkimit. Nëse ti që po na lexon je dikush që ke “humbur” apo mendon se ke “fituar” në sfidën e kërkimit të identitetit përmes punës, na shkruaj.
Ndoshta historia jote do të bënte diferencën për komunitetin tonë.
Me përzemërsi, Sara

